Secondary Adv

Pensioni bazë në Kosovë rritet në 150 euro, dyfishohet mbështetja për kategoritë e tjera

Që nga ky muaj, pensioni bazë në Kosovë rritet në 150 euro, ndërsa dyfishohen mbështetjet për kategori të tjera sociale.

Qeveria e Kosovës ka aktivizuar menjëherë rritjen më të madhe të pensioneve të realizuar ndonjëherë, sipas Ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

 

Pensioni Bazik, i cili në fillim të mandatit të Qeverisë Kurti ishte 90 euro, tashmë bëhet 150 euro në muaj. Kjo përbën një rritje prej 60 eurosh, ose 67% gjatë mandatit, dhe synon të përmirësojë të ardhurat e qytetarëve të moshuar në një periudhë me kosto të larta jetese dhe inflacion të qëndrueshëm.

 

Rritje për kategoritë e ndjeshme

Sipas njoftimit të ministrit, rritje të rëndësishme marrin edhe Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilët nga 75 euro kalojnë në 150 euro në muaj, duke u dyfishuar plotësisht. Po ashtu, janë shtuar mbështetjet financiare për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe janë rritur pensioni invalidor dhe ai familjar. Këto vendime vijnë në një moment të ndjeshëm politik, teksa qeveria në detyrë paraqet masat që i konsideron prioritare për mirëqenien sociale.

 

Efekti për qytetarët dhe sfondi ekonomik

Rritja e pensioneve pritet të ndikojë drejtpërdrejt mijëra qytetarë, të cilët prej këtij muaji përfitojnë të ardhura më të larta në një periudhë kur inflacioni në vend mbetet i fortë. Çmimet e konsumit në Kosovë u rritën mesatarisht me 5.1% në tetor 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor arriti në 0.6%. Rritjet më të theksuara u regjistruan në pushime të organizuara me 23.7%, bileta fluturimesh me 21%, energji elektrike me 20.3%, pemë me 15.3%, kafe e çaj me 13.1%, riparime transporti me 12.4%, mish me 12.3% dhe shërbime hoteliere me 9%.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat